DVP Korçë – Vihen në pranga 2 shtetas

Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre në kuadër të operacionit policor “Perimetri 180”, ndërsa tjetri për vjedhje.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në vijim të operacionit policor “Perimetri 180”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. Q., 22 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në qytetin e Pogradecit, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Ford”, 2 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. K., 45 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë, për veprën penale “Vjedhja”.

Ky shtetas dyshohet se ka vjedhur në minierën e qymyrgurit në Mborje-Drenovë, një pjesë rripi të transportierit, i cili iu gjet gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.