DVP Korçë/Vijojnë operacionet policore, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të drogave të forta.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Night sales 5”.
Bashkëpunëtorë për shitje të dozave të kokainës, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen një automjet që drejtohej pa leje drejtimi, nga njëri prej të arrestuarve, dhe që përdorej për shpërndarjen e dozave, një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje, si dhe 1 celular.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në vazhdën e operacioneve me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në zona të ndryshme të qarkut, finalizuan operacionin policor të koduar “Night sales 5”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit K. F., 28 vjeç dhe A. F., 24 vjeçe, të dy banues në Korçë.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për veprimtarinë kriminale të këtyre 2 shtetasve, në lagjen nr. 1, Korçë, u ndalua automjeti me drejtues 28-vjeçarin dhe ku ishte pasagjere shtetasja A. F.
Nga kontrollet, shtetases A. F. iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje, ndërsa nga verifikimet, rezultoi se shtetasi K. F. lëvizte me automjet, i papajisur me leje drejtimi, dyshohet për të shpërndarë dozat e kokainës.
Dozat e kësaj lënde narkotike, automjeti dhe 1 celular u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.