DVP Gjirokastër/Procedohen në gjendje të lirë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, në fshatin Koshtan, Memaliaj, në një zonë të pyllëzuar, kanë gjetur të kultivuara 41 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve të kultivimit të bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. K., 72 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Koshtan, Memaliaj, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen L. I., 70 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi në fshatin Progonat, Tepelenë, i ka pushtuar një sipërfaqe toke, një shtetasi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Gj., 46 vjeç, banues në fshatin Erind, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Damo” dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me pemë frutore.
Specialistët e Trafikut Interurban dhe Urban referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 14 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.