Vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Road Guard 31”.
Transportonin 6 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen 2 automjete dhe 2 aparate celulare.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore dhe Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Road Guard 31”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. Ç., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe F. T., 34 vjeç, banues në Kurbin.
Në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Hormovë”, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasit E. Ç. dhe F. T. duke transportuar me 2 automjetet përkatëse, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 2 aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim.