Lushnjë / Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin T. B., 37 vjeç, banues në Lushnjë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, Lushnjë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Mallakastër / Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë, për dy shtetas të mitur, 15 vjeç dhe 16 vjeç, banues në Fratar, Mallakastër, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një automjet, në një servis, në fshatin Fratar. Automjeti u gjet nga Policia dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Divjakë / Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 33 vjeç, banues në Xeng, Divjakë, si edhe u shpall në kërkim shtetasi S. K., 40 vjeç, banues në Xeng, Divjakë, pasi gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, në Divjakë, kanë kryer veprime të dhunshme dhe si pasojë kanë thyer kabinën e vendosur në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: E. Sh., J. M., N. Gj., D. P. dhe L. Gj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.