DVP Elbasan mirëpret nxënësit e shkollës “Qamil Guranjaku”

Java me dyer të hapura për publikun.

Me rastin e 107-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, gjatë ditës së sotme, ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, u vizituan nga nxënësit e klasës 6-të të shkollës 9-vjeçare “Qamil Guranjaku”, të shoqëruar nga mësuesit e tyre.

Qëllimi i kësaj vizite ishte bashkëpunimi dhe krijimi i një ambienti sa më të sigurt për shoqërinë, pasi kjo nuk është detyrë vetëm e Policisë, por e të gjithëve. Të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për rritjen e parametrave të sigurisë dhe përmirësimin akoma më shumë të cilësisë së jetës.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan i kanë mundësuar nxënësve një prezantim të ambienteve të punës të sektorëve të ndryshëm si: Zyra e Shërbimit për Qytetarët, Sektori i Policimit në Komunitet dhe i Policisë Rrugore, Salla e mbledhjes, Salla e Komandimit etj.

Fëmijët u pritën edhe nga Shefi i Komisariatit të Policisë Elbasan Kryekomisar Emiljano Pasha, i cili i ka falënderuar fëmijët për vizitën, duke shprehur dëshirën që kjo vizitë të pasohet edhe nga vizita të tjera, pasi detyra parësore është të garantojmë rendin dhe sigurinë për një të ardhme të sigurt për fëmijët, sepse ata janë e ardhmja jonë.

Punonjësit e Policisë së qarkullimit u shpjeguan fëmijëve se si duhet të sillen në rrugë dhe çfarë pasojash vijnë nga mosrespektimin i rregullave të qarkullimit, si dhe u kërkuan fëmijëve që të mos i lejojnë prindërit që të drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo me shpejtësi dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Gjithashtu ata u treguan fëmijëve edhe pajisjet e një punonjësi të Policisë së qarkullimit dhe funksionin e tyre.

Në fund të vizitës fëmijët dhe mësuesit kanë falënderuar punonjësit e Policisë, duke thekuar se ndiheshin shumë të kënaqur nga pritja dhe ambientet që panë dhe kanë preferuar të bëjnë foto në ambientet e DVP Elbasan.