DVP Durrës – Vijon puna për parandalimin, evidentimin e goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim

Gjatë 24 orëve të fundit vihen në pranga 4 shtetas për vepra të ndryshme penale, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë italiane.

 

-Nga ana e Seksionit për Hetimin e  Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, pas informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u organizua puna duke bërë kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi të shtetasit R. Z., 29 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë me armëmbajtje pa leje. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 08.11.2019, pasi Gjykata Bergamo, Itali, ka lëshuar urdhër-arresti, për kryerjen e veprave penale në fushën e narkotikëve, parashikuar nga nenet 73 dhe 80 të Dekretit Presidencial nr.309/1990 “Për drogat” dhe nenet 81 dhe 110 i Kodit Penal Italian.

 

-Po nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve  u arrestua në flagrancë shtetasi B. H., 37 vjeç, banues në Durrës.  Shërbimet e Policisë Durrës gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 32 gr. lëndë narkotike e llojit cannabis sativa. Ky shtetas dyshohet se lëndën narkotike do ta shpërndante në doza të vogla.

 

-Specialistët kundër Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, arrestuan në flagrancë shtetasin A. F., 31 vjeç, banues në Kosovë, pasi në P.K.K Durrës ka tentuar të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara.

 

-Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë  shtetasi E. V.,33 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.