DVP Durrës/Vijojnë kontrollet intensive për rritjen e parametrave të sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë.
Sekuestrohen lëndë narkotike heroinë, kokainë dhe cannabis sativa, makineta për lojëra fati, municion luftarak, armë të ftohta, vepra arti me vlera historike dhe një sasi vlere monetare.
Zbardhen dhe dokumentohen 8 vjedhje të ndodhura në qytetin e Durrësit.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, ndalohet një tjetër i dyshuar si autori i 8 vjedhjeve, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin D. K., 29 vjeç, banues në Durrës.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës e kanë ndaluar atë në lagjen nr. 7, Durrës dhe gjatë kontrollit fizik, në çantën e dorës iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi dozash me lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, si dhe një shumë parash, të cilat dyshohet se ky shtetas i ka përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
—
Po nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga strukturat e Komisariatit, është ushtruar kontroll në një ambient në lagjen nr.15, Durrës, në pronësi të shtetasit D. K., 37 vjeç.
Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa, disa vepra arti me vlera historike, grirëse hashashi, krehër arme dhe municion luftarak, armë të ftohta (thikë dhe shpatë), uniforma policie me simbolet e Policisë së Shtetit, 1 tavolinë pokeri, çipsa dhe 14 makineta për lojëra fati.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, “Organizmi i lotarive të palejuara”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, shtetasi D. K., 37 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
—
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin A. D., 19 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet si autor i 8 vjedhjeve të ndodhura në lagjen nr. 13, Durrës, gjatë muajve qershor-korrik, konkretisht në banesat e shtetasve F. F., M. B., B. N., B. L., V. C., A. U., I. M., F. A., ku ka marrë vlera të ndryshme monetare, aparate celulare dhe bizhuteri floriri.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.