Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, pas transmetimit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, të një rasti të dyshuar korruptiv në zyrën postare Dibër, referuan materialet në Prokurori, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, dhe shpallën në kërkim shtetasin G. H., 33 vjeç, banues në Peshkopi.
Shpallja në kërkim e shtetasit G. H. u bë sepse dyshohet se ka shpërdoruar detyrën si punonjës i zyrës postare Dibër, për të mos dorëzuar pagesat e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, si dhe ka falsifikuar mandat-pagesat, duke firmosur në emër të përfituesve.
Në vijim të veprimeve proceduarale ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë edhe për shtetasin Xh. D., 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë shef i Zyrës së Shërbimit dhe Marketingut pranë Postës Sh.A. fililali Mat, dega Dibër, pasi dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër falenderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.