DVP Dibër/Plan masash për parandalimin dhe goditjen e prerjes së paligjshme të pyjeve

DVP Dibër/Plan masash për parandalimin dhe goditjen e prerjes së paligjshme të pyjeve.

Kontrolle intensive me grupe kontrolli nga të tre Komisariatet e Policisë Dibër, Bulqizë e Mat në bashkëpunim me shërbimet e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Në Bulqizë, evidentohen dhe goditen dy raste të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Procedohen penalisht dy shtetas, njëri nga Tirana dhe tjetri nga Kruja pasi u kapën duke transportuar 17 m³ lëndë drusore me dy kamion.

Në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore grupet e kontrollit nga të tre Komisariatet e Policisë Dibër, Bulqizë dhe Mat, kanë ushtruar kontrolle intensive në të gjithë territorin e qarkut me qëllim goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Si rezultat shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë në bashkëpunim me shërbimet e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, në rrugën e Liqenit të Zi, kanë konstatuar dhe kanë ndaluar dy shtetas që po transportonin me kamionët e tyre lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.

Për këto dy raste, shërbimet e Policisë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A.Z., 40 vjeç banues në Tiranë; dhe R.D., 46 vjeç, banues në Krujë.

Gjithsej, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 m³ lëndë drusore dhe dy automjete kamion.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.