DVP Dibër/Plan masash për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit

DVP Dibër/Plan masash për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit.

Kontrolle intensive në të gjithë qarkun me grupe kontrolli nga të tre Komisariatet e Policisë Dibër, Bulqizë e Mat

✅U kapën në flagrancë duke prerë lëndë drusore në kundërshtim me ligjin, pocedohen penalisht 4 shtetas në Bulqizë dhe 2 shtetas në Mat.

U sekuestruan gjithësej në cilësinë e provës materiale 23m³ lëndë drusore, 2 motosharra dhe 1 automjet zetor.

Në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës policore shërbimet e Policisë, kanë ushtruar kontrolle intensive në të gjithë territorin e qarkut me qëllim goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Si rezultat shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në pyllin e fshatit Çerenec, kanë kapur duke prerë lëndë drusore në kundërshtim me ligjin 4 shtetas dhe konkretisht V.Gj., 50 vjeç; M.Gj., 48 vjeç; P. Gj., 57 vjeç; P.Gj., 68 vjeç, të gjithë banues në Bulqizë. Nga veprimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në mënyrë të organizuar, prisnin lëndë drusore dhe e grumbullonin brenda zonës pyjore, me qëllim fshehjen nga kontrolli i policisë dhe transportimin e saj me kafshë pune.

Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në pyllin e fshatit Lis, kapën shtetasit E.B., 22 vjeç dhe E.B., 20 vjeç (vëllezër), duke transportuar një sasi lënde drusore të cilën e kishin prerë në kundërshtim me ligjin.

Për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 6 shtetasit e lartëpërmendur për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.

Gjithsej, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 m³ lëndë drusore, dy motosharra dhe një mjet zetor.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.