DVP Dibër – Ekstradohet drejt vendit tonë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar

Si rezultat i grumbullimit të informacioneve nga strukturat hetimore të DVP Dibër dhe shkëmbimit të tyre me Interpol Tirana dhe Interpol Paris, është bërë i mundur lokalizimi i vendndodhjes dhe kapja e një të kërkuari në Francë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Dibër u bë ekzekutimi i vendimit penal për shtetasin në kërkim ndërkombëtar F. V., 27 vjeç, banues në fshatin Pollozhan, Dibër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Dibër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale ‘’Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Në maj të vitit 2018, në qytetin e Peshkopisë, shtetasi F. V., në bashkëpunim me vëllanë e tij, ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin shtetasit A. M. dhe A. A. Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi A. M.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Paris u bë kapja dhe ekstradimi i tij në vendin tonë.