DVP Berat/Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme.
Si rezultat janë evidentuar dhe goditur 2 raste të kësaj veprimtarie. Në vijim të veprimeve, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, u arrestua në flagrancë shtetasi S. H., 45 vjeç, banues në Berat, pasi u kap në një lokal, në lagjen “30 Vjetori”, Berat, duke vendosur baste sportive, nëpërmjet aparatit celular.
Gjithashtu, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Berat u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. O., 31 vjeç, banues në Berat, pasi u konstatua se ushtronte veprimtarinë në subjektin e tij (lokal), pa u pajisur me kasë fiskale. Gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale, 2 aparate celulare që dyshohet se shërbenin për të vendosur baste sportive.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin H. H., banues në Berat, pasi për motive të dobëta ka kanosur me mjet të mprehtë (kosë), fqinjin e tij.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi R. Q., 24 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses. Punohet për kapjen e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.