DVKM Vlorë – Lundruan në afërsi të brigjeve, ndëshkohen me masa administrative

Kontrolle, verifikime dhe reagim i menjëhershëm ndaj çdo indicieje të qytetarëve, me objektivin madhor, garantimin e sigurisë detare.

Rrezikuan pushuesit, duke lundruar në afërsi të brigjeve dhe pa dokumentacion në bord, në Potam dhe në “Plazhin e Hidrovorit”, ndëshkohen me gjoba 500 000 dhe 510 000 lekë.

Gjithashtu iu bllokohen mjetet lundruese (gomone).

-Menjëherë pas njoftimit se një mjet (gomone) ishte konstatuar duke lundruar afër bregut, në plazhin e Potamit, shërbimet e DVKM Vlorë organizuan punën për identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të tij. Mjeti u lokalizua në plazhin e Drimadhes dhe u bllokua. Ndërkaq, drejtuesi i tij, shtetasi H. L., u ndëshkua me 500 000 lekë gjobë.

-Gjatë patrullimeve në të gjithë vijën bregdetare në juridiksionin e DVKM Vlorë, u konstatua një tjetër mjet lundrues (gomone), duke lëvizur në afërsi të bregut, në zonën e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”. Mjeti u ndalua dhe u bllokua, ndërkaq, drejtuesi i tij, shtetasi E. Sh., u ndëshkua me 510 000 lekë gjobë. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas nuk kishte në bord, dokumentacionin e kërkuar nga ligji.

Patrullimi vijon në të gjithë hapësirën detare të qarkut Vlorë.

Policia e Shtetit fton qytetarët, pushuesit dhe vizitorët, që të denoncojnë menjëherë, çdo paligjshmëri që cenon sigurinë detare dhe atë publike në përgjithësi, dhe i garanton se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjit.