Durrës – Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”, goditet edhe 1 rast tjetër i veprimtarisë së organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit

Arrestohet në flagrancë një shtetas.

Sekuestrohet një laptop, që përdorej për vendosjen e basteve sportive.

Specialistët për Hetimin e Krimit, në Stacionin e Policisë Manzë , në vijimin të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave” , me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit, kanë bërë të mundur goditjen e një rasti tjetër të kësaj veprimtarie.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi G. K., 52 vjeç, banues në Sukth, Durrës, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimit në Stacionin e Policisë Manzë, kanë ushtruar kontroll në lokalin e këtij shtetasi dhe kanë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një laptop, i cili përdorej për vënie bastesh në mënyrë të kundërligjshme.

Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të veprimtarisë së paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.