Goditet 1 rast tjetër i organizimit të veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas.
Sekuestrohen një aparat celular që përdorej për vendosjen e basteve sportive dhe një dorezë metalike (përforcues grushti).
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit, kanë bërë të mundur goditjen e një rasti tjetër të kësaj veprimtarie.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi P. P., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës kanë ushtruar kontroll në lokalin e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një aparat celular që përdorej për vënie bastesh në mënyrë të kundërligjshme, si dhe një dorezë metalike (përforcues grushti).
Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të veprimtarisë së paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.