Durrës/Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Vinte baste sportive, nëpërmjet celularit, në lokalin në pronësi të tij, vihet në pranga 19-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë vijuar kontrollet në lokale dhe në ambiente të tjera, ku dyshohet se organizohen lojëra fati, në kundërshtim me ligjin. Si rezultat, u godit një rast tjetër i kësaj veprimtarie dhe u arrestua shtetasi:
-B. G., 19 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
19-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lokalin në pronësi të tij, duke vënë baste sportive, përmes aparatit celular.
Aparati celular u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.