Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin E. D., 38 vjeç, banues në lagjen nr.14 Durrës, pasi dyshohet se në gjendje të dehur, ka kanosur dhe lënduar lehtë me mjet prerës shtetasin G. N.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. H., 45 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vëllait të tij;
F. Sh., 38 vjeç, banues në lagjen nr.15, Durrës, sepse pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin M. S., 41 vjeç, dyshohet se i ka djegur qëllimisht varkën, e cila ishte ankoruar në breg të detit.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Postën e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë shtetasin M. D., 60 vjeç, banues në Hamallaj, Durrës, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke ndërtuar një objekt pa leje nga organet kompetente, si dhe ka kanosur pronarin e tokës ku po ndërtonte, shtetasin D. A.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin O. M., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.