Durrës – Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin F. B., 43 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në Durrës, ku dyshohet se si pasojë e vetëplagosjes me mjet prerës (thikë), humbi jetën në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës, shtetasja A. D., 54 vjeçe (bashkëjetuesja e shtetasit F. B.). 43-vjeçari dyshohet se nëpërmjet konflikteve me shtetasen A. D., ka ndikuar në rëndimin e gjendjes së saj psikologjike. Gjithashtu, ky shtetas duke deformuar provat në vendngjarje, ka tentuar të pengojë zbulimin e së vërtetës në lidhje me këtë rast. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, shtetasin I. Z., 23 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Port Durrës, duke tentuar të kalojë kufirin me kartë belge, të falsifikuar.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin E. F., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin në gjëndje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.