Durrës/Vepruan në kundërshtim me ligjin, gjatë kryerjes së detyrës, procedohen penalisht 2 mjeke.
Njëra prej tyre, duke shpërdoruar detyrën, pajisi me rekomandim mjekësor një shtetas, ndërsa mjekja tjetër pranoi një shumë parash në këmbim të plotësimit të një dokumenti për një pacient.
Strukturat hetimore të DVP Durrës, menjëherë pas transmetimit të një rasti, mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku u shfaqen 2 shtetase, mjeke në institucione spitalore të ndryshme të qarkut të Durrësit, duke ushtruar detyrën në kundërshtim me ligjin, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset:
-S. D., 34 vjeç, banuese në Durrës, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën si Mjeke e Përgjithshme në Qendrën Shëndetësore Nr. 5, Durrës, ka pajisur me rekomandim mjekësor një pacient (qytetar i infiltruar nga stafi i emisionit investigativ), i cili as nuk ishte prezent gjatë vizitës dhe as nuk ishte banor i zonës që mbulon me shërbime, qendra shëndetësore ku punonte 34-vjeçarja;
-G. G., 51 vjeçe, banuese në Durrës, pasi dyshohet se ka plotësuar një dokument për përcaktimin e diagnozës mjekësore të një pacienti (qytetar i infiltruar nga stafi i emisionit investigativ), në këmbim të shumës së parave 5000 lekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të paligjshmërive të ndryshme, si dhe i siguron ata se strukturat vendore dhe qendrore të Policisë, do të reagojnë menjëherë me qëllim nxjerrjen e autorëve, përpara përgjegjësisë ligjore.