Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Durrës, pas informacionit se një shtetas e kishin marrë me dhunë, organizuan punën për identifikimin e kapjen e autorëve dhe gjetjen e personit.
Falë reagimit në kohë, veprimeve profesionale dhe punës së mirëorganizuar u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i tyre në flagrancë:
F. D. (K.), 32 vjeç, banues në Lezhë, i cili ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata Lezhë e ka dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”;
A. P., 35 vjeç dhe A. H., 33 vjeç, banues në Laç.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në lagjen Nr. 16, Durrës, për motive të dobëta, kanë marrë me dhunë shtetasin E. N., 16 vjeç, në mjetin tip “Audi” e më pas e kanë dhunuar fizikisht.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë, kryer në bashkëpunim”.