Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Vollga”

Finalizohet, nga Komisariati i Policisë Durrës, operacioni policor i koduar “Vollga”.

Vodhi 2 herë, produkte ushqimore në të njëjtin market, arrestohet në flagrancë 35-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

35-vjeçari, i dyshuar edhe si autor i 5 rasteve të tjera të vjedhjes me forcë të shumave të parave, në të njëjtën makinetë për kafe, në Vollga, Durrës.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Vollga”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

A.M., 35 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.

Ky shtetas, më datë 27.08.2022 dhe më datë 28.08.2022, ka vjedhur produkte ushqimore, në të njëjtin market, në lagjen nr.18, Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 35-vjeçari, gjatë muajve qershor dhe korrik, ka vjedhur me forcë shuma të ndryshme parash, në të njëjtën makinetë për kafe, në pronësi të një subjekti privat, në lagjen nr. 1, Durrës.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.