Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”, sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov, 2 krehra dhe 54 fishekë luftarak.
Qëlloi me kallashnikov në ajër, për të kanosur kushëririn e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet tyre, arrestohet në flagrancë 26-vjeçari.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Jube, Durrës, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendin e njoftuar, me qëllim arrestimin e autorit.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme në kuadër të operacionit policor të koduar “Kalibri”, u kap dhe u arrestua shtetasi E. B., 26 vjeç, banues në fshatin Jubë, Durrës.
Shtetasi E. B. ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në ajër, për të kanosur kushëririn e tij, shtetasin M. B., 63 vjeç, me të cilin ishte konfliktuar për motive të dobëta.
Arma e zjarrit kallashnikov që posedohej pa leje nga 26-vjeçari, 2 krehra dhe 54 fishekë luftarak, u gjetën nga Policia dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.