Finalizohet operacioni policor i koduar “BYE PASS”.
Ekzekutohen masat e sigurisë ndaj 3 shtetasve dhe shpallen në kërkim 6 shtetas të tjerë.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, pas një pune intensive hetimore, finalizoi me sukses operacionin policor “BYE PASS”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila, bazuar në provat e grumbulluara, ka caktuar masat e sigurisë ndaj 3 personave nën hetim, si dhe u shpallën në kërkim 6 të tjerë, konkretisht:
U ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” ndaj shtetasve:
L. T., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
K. B., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasin A. H., 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtë masë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në vijim të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasve:
A. B., 48 vjeçe, Dh. L., 55 vjeçe, A. Z., 56 vjeç dhe S. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës iu ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Xh. V., 62 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë ndërtues, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” kryer në bashkëpunim.
R. A., 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë ndërtues, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie, si dhe për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.