Durrës – Finalizohet operacioni i koduar “Metoda”

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Metoda”, për goditjen dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve së pasurisë, shtetasve të ndryshëm.

Vodhi gjatë muajit janar, 1 automjet dhe sende personale, në 5 automjete të tjera, identifikohet dhe vihet në pranga 35-vjeçari.

I arrestuari u kap në flagrancë teksa mbante me vete, doza lënde narkotike kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, të iniciuar nga denoncimet e qytetarëve, për disa raste të vjedhjes së sendeve personale, në automjetet e tyre, kanë organizuar menjëherë punën, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metoda”, për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat, u arrestua shtetasi V. K., 35 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ky shtetas u kap në flagrancë, pasi kishte thyer xhamin e një automjeti, për të vjedhur sendet personale që ndodheshin në të. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan 35-vjeçarit, doza lënde të dyshuar narkotike, kokainë.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, rezultoi se shtetasi V. K. është autor edhe i 4 vjedhjeve të tjera të sendeve personale, në automjetet e shtetasve të ndryshëm dhe i vjedhjes së automjetit të një shtetaseje, raste këto të ndodhura gjatë periudhës 3-13 janar 2023.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti i vjedhur nga 35-vjeçari.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jetë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.