Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, si dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Sekuestrohen një sasi dozash marijuanë, municion luftarak, peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, targa automjetesh dhe aparate celular.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe në bazë të një hetimi dymujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shkozeti”, në kuadër të të cilit arrestuan në flagrancë shtetasit:
Sh. H., 34 vjeç dhe E. H., 22 vjeç, banues në Durrës, të dy të dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Si dhe u procedua në gjendje të lirë për shkak të moshës, shtetasi I. H., banues në Durrës.
Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të ushtruar në një magazinë në pronësi të shtetasve E. H. dhe SH. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza me marijuanë, 425 fishekë luftarak, një peshore elektronike, 2 palë targa, si dhe 4 aparate celular të markave të ndryshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajta pa leje e armëve dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.