Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme ekzekutoi urdhrin e Prokurorisë për ndalimin e shtetasit në kërkim I. T., 49 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë e ka dënuar me 10 muaj burgim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin K. B., 32 vjeç, banues në Pogradec, pasi në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, pranë fshatit Buqezë, u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Komisariati i Policisë Kolonjë arrestoi në flagrancë shtetasin F. N., 67 vjeç, banues në Ersekë, pasi dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten e tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasit:

-S. Xh., 51 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten e tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje;

-K. P., 25 vjeç, banues në Maliq, pasi është kapur në lagjen nr. 1, Korçë, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin për shtetasin Gj. L., 25 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka kanosur me një mjet prerës (thikë) shtetasin F. B.

Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. D., 39 vjeç, banues në Tiranë dhe F. H., 19 vjeç, banues në Udënisht, Pogradec, pasi në afërsi të fshatit Udënisht, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte njëri-tjetrin, dhe më pas shtetasi F. H., ka dëmtuar me një send të fortë automjetin e shtetasit R. D.

Korçë/Informacion paraprak

Më datë 08.06.2024, rreth orës 12:55, në aksin rrugor “Korçë-Devoll”, në fshatin Belorta, Korçë, në një karburant, ka rënë zjarr në automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin D. O., 35 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq, në momentin kur ky shtetas po e furnizonte automjetin, me karburant.

Në brendësi të automjetit ndodhej pasagjer babai i tij, shtetasi M. O., 72 vjeç, i cili së bashku me 35-vjeçarin, kanë pësuar djegie trupore dhe ndodhen për mjekim, në spital. Automjeti i tyre është larguar nga karburanti prej personave të tjerë, të cilët e kanë nxjerrë jashtë rrugës, me qëllim shmangien e rrezikut të mëtejshëm.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.