Policia Rrugore në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit duke filluar nga nesër do të monitorojë në mënyrë më të kujdesshme dhe më nga afër akset rrugore pranë shkollave. Gjithashtu do të vijojë një bashkëpunim me i ngushtë me DAR për të shkëmbyer informacion në lidhje me problematikat në afërsi të shkollave.
Në fokus të Policisë Rrugore do të jenë në këto dy javë dhe në vijim:
1. Mjetet që transportojnë fëmijët të cilat në zbatim të dispozitave të VKM për transportin e nxënësve të jenë të evidentuara duke patur të shkruar autobus dhe minibus shkolle;
2. Drejtuesit e mjeteve të jenë me dokumentacionin përkatës dhe të pajisur me CAP;
3. Do të kontrollohen për përdorim të pijeve alkoolike drejtuesit e ketyre mjeteve;
4. Përdorimi i celularit për këta drejtues mjeti do të jetë në fokus të kontrolleve të përditshme të Policisë Rrugore;
5. Mjetet private të prindërve që transportojnë fëmijët nga banesat drejt shkollave duhet të kujdesen të kenë sedilje të veçanta referuar moshës së fëmijëve;
6. Edhe nxënësit e shkollave që kanë mbushur moshën 16 vjeç dhe përdorin çiklomotorrë duhet të jenë të pajisur me lejedrejtimi të kategorisë AM. Në çdo kohë ata duhet të përdorin kasko mbrojtëse për të qënë të sigurt.
7. Kontrolllet do të jenë në çdo qendër të banuar duke u futur edhe në zonat rurale ku ka shkolla. Do të sigurohet informacion i pandërprerë me inspektorët e policisë në zonë.
Gjithashtu policia rrugore nesër dhe në ditët në vijim do të ketë shërbime të përforcuara në kryeqytet për të përballuar fluksin e trafikut të shtuar të mjeteve për të evituar bllokimet dhe ngecjen në trafik. Respektimi i normave të sjelljes, qarkullimi me kujdes duke respektuar sistemet e sinjalizimit do të evitojë vonesat dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.