Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka uruar, nëpërmjet një telegrami, punonjësit e Policisë në të gjithë vendin, për 110-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit.
Nëpërmjet këtij telegrami, Drejtori i Përgjithshëm ka shprehur mirënjohjen e tij për angazhimin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit, u ka ofruar mbështetje dhe i ka inkurajuar ata që të vijojnë të palëkundur punën e tyre për garantimin e sigurisë publike dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Më poshtë, telegrami i Drejtorit të Përgjithshëm për punonjësit e Policisë në të gjithë vendin:
Të nderuar kolegë,
Sot, kam privilegjin dhe nderin më të madh të jetës sime, që në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, t’ju uroj përvjetorin e 110-të të Policisë së Shtetit.
Ju jam thellësisht mirënjohës si koleg, si familjar, si mik, si qytetar dhe si titullar i këtij institucioni, për punën, angazhimin dhe sakrificën tuaj të përditshme, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe në funksion të misionit të shenjtë të Policisë së Shtetit.
Vlerësim dhe mirënjohje e përzemërt edhe për familjet tuaja që ndajnë me ne shqetësimet dhe triumfet, që nuk ankohen për privimet fizike dhe kohore që sjell puna si punonjës i Policisë së Shtetit, por na qëndrojnë në krah dhe na mbështetin, për të realizuar misionin tonë, sa të vështirë aq edhe fisnik.
Nga jashtë, imazhi i një punonjësi policie është po aq komod sa imazhi i një punonjësi administrate, po askush më mirë se ne, të angazhuar në çdo strukturë dhe në çdo nivel, nuk e njeh peshën e sakrificës, të orëve të gjata të punës, të sfidave profesionale, të lodhjes dhe të guximit, të rasteve dhe të ngjarjeve, të uniformës dhe të armës së shërbimit.
Ju siguroj se jemi bashkë në çdo sfidë; për të festuar si një familje, çdo arritje; për të reflektuar pas çdo disfate; për të kërkuar me ngulm më të mirën për ne dhe për të përjashtuar nga radhët tona, këdo që tenton të na përbaltë, të na çojë dëm mundin dhe të na trondisë themelet e besimit që me shumë vështirësi ndërtuam te qytetarët.
Në filozofinë time profesionale, por edhe në atë të jetës, autoriteti ka sinonim vetëm respektin, jo arrogancën, jo prepotencën, dhe pikërisht ky është synimi i lartë i punës sime, të arrij të justifikoj mbështetjen dhe respektin tuaj, pasi vetëm kështu mund të jemi të vetëdijshëm për peshën e gradës që kemi në supe dhe vetëm kështu, mund ta shohim njëri-tjetrin në sy sot, kur trajektorja e karrierës së secilit prej nesh është kështu, dhe nesër, kur kjo trajektore të ketë ndryshuar.
Ka një dhe vetëm një rrugë, për të patur mbështetjen e qytetarëve të ndershëm të Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë vendosur të jetojnë dhe të prosperojnë në këtë vend, dhe kjo rrugë është ajo që udhëhiqet nga drita e përkushtimit, sakrificës, integritetit profesional dhe atij moral. Këto janë cilësitë që qëndrojnë në bazë të besimit dhe që ndërtojnë suksesin.
Ju inkurajoj të jepni më të mirën nga vetja në shërbim të qytetarëve dhe ju garantoj se do të keni mbështetjen time të pakushtëzuar, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në çdo përballje me krimin, për të zbatuar ligjin, dhe në çdo rast kur mund të përbalteni padrejtësisht.
Me besimin në Zot dhe te njëri-tjetri, ju uroj gëzuar 110-vjetorin e krijimit të Policisë shqiptare. Një vit të mbarë, me shëndet dhe sa më të suksesshëm për ju dhe familjet tuaja!
Me respekt e sinqerisht,
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Drejtues Madhor
Muhamet Rrumbullaku