Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit takoi sot Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri SHTZ Galit Peleg.
Gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi i mirë mes Policisë shqiptare dhe agjencive ligjzbatuese izraelite.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku theksoi se bashkëpunimi i deritanishëm me agjencitë ligjzbatuese izraelite, duhet shtrirë në të gjitha fushat policore me interes të përbashkët për të dyja shtetet. Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh: “Bashkëpunimi intensiv policor, në këtë kontekst të ri social, ku fenomenet kriminale i kanë shkurtuar më shumë se kurrë, distancat gjeografike midis shteteve është më se i domosdoshëm. Hetimet me skuadra të përbashkëta hetimore dhe shkëmbimi në kohë reale i informacioneve do t’i shërbenin më së miri rritjes së efikasitetit të luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.”
Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri SHTZ Galit Peleg falënderoi Policinë e Shtetit për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për masat e sigurisë, të marra në Ambasadën e Izraelit në Tiranë, si dhe shpehu gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin në fushat e sipërcituara, veçanërisht në fushën e cybercrime.
Ambasadorja ftoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të marrë pjesë në konferencën që do zhvillohet në fund të muajit nëntor, mbi sigurinë kibernetike, duke e cilësuar me shumë vlerë pjesëmarrjen e tij, pasi do të ketë nje demonstrim mbi sistemet e reja për sigurinë kibernetike.
Po gjatë takimit u dakordësua për vijimin e trajnimit të forcave speciale të Policisë së Shtetit nga partnerët izraelitë.