Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i akordon “Certifikatë për shërbime të dalluara” Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike në Tiranë

Në përfundim të misionit në Shqipëri të Peter D. Colmorn, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua një ceremoni, ku zv.drejtoresha e Përgjithshme Aida Hajnaj, në prezencë të drejtuesve të lartë të Policisë dhe të zv.ambasadores së Suedisë në Shqipëri, i ka dorëzuar atij “Certifikatën për shërbime të dalluara”, “Për kontribut të shquar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe agjencive ligjzbatuese të Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Islandës dhe Finlandës në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme, në interes të forcimit të sigurisë publike”.

Hajnaj, në emër edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu (i cili ndodhet në SHBA për një vizitë zyrtare) vlerësoi kontributin e çmuar dhënë nga Colmorn në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Vendeve Nordike. Ajo i ka uruar suksese në detyrën e re.

Colmorn e vlerësoi si shumë të frytshme periudhën e qëndrimit si Oficer Ndërlidhës në Shqipëri, bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me Policinë e Shtetit.