Drejtori i Përgjithshëm Veliu, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Shërbimet mbështetëse Theodhori Gravani, u prit në një takim nga Presidenti i Policisë Çeke, Mgr. Jan Švejdar.
Gjatë takimit, Presidenti i Policisë Çeke i vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe si mjaft të mira dhe theksoi domosdoshmërinë e forcimt të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat.
Jan Švejdar:
“Vlerësoj progresin e bërë nga Policia e Shtetit Shqiptar vitet e fundit në luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe në operacionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese Interpol, Europol, Frontex etj. Policia Çeke ju mbështet dhe është e gatshme për të shtrirë bashkëpunimin në të gjitha fushat”.
Drejtor Veliu ka falënderuar Presidentin e Policisë Çeke për mbështetjen e dhënë, si dhe ka vlerësuar rolin e oficerit të kontaktit të Policisë Çeke në Shqipëri z. Adriatik Shino, për shkëmbimin në kohë reale të informacioneve si dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit mes dy policive.
Veliu:
Bashkëpunimi me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese është një ndër prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit dhe unë mbetem i vendosur që ky bashkëpunim të forcohet dhe thellohet në të gjitha fushat, pasi krimi nuk ka ngjyrë, kufi e politikë, por ka vetëm një mision, të vrasë shpresën, ligjin dhe të ardhmen, ndaj misioni i të gjitha Policive në botë është një, lufta pa kompromis ndaj krimit”.
Në takim u ra dakort për ngritjen e njësive të përbashkëta hetimore në drejtim të hetimit të kontrabandimit të qenieve njërëzore, për zhvillimin e operacioneve të përbashkëta në kufi në bashkëpunim me Frontex, për mbështetje logjistike nga Policia Çeke, si dhe sjelljen e punonjësve të Policisë Çeke gjatë sezonit turistik.
Gjatë takimit ishte i pranishëm ambasadori i Shqipërisë në Çeki Sh.T. Z. Ilirian Kuka, i cili ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy policive, duke theksuar se ky bashkëpunim i shërben rritjes së sigurisë dhe zhvillimit të turzimit, sepse Shqipëria është një vend turistik i preferuar nga turistët çekë, qoftë për turizmin malor ashtu edhe për atë bregdetar dhe numri i ketyre të fundit nga viti në vit ka ardhur në rritje.