Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti Shefen e Departamentit të Hetimeve Kriminale të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike në Departamentin e Shtetit, Karen Riley, e cila shoqërohej nga Antonio, Shef për Hetimet Kriminale në Zyrën Rajonale të Sigurimit në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë dhe Chuck Harrison, Agjent Federal për Hetimet Kriminale për Ballkanin.
Vizita ishte në kuadër të bashkëpunimit të Zyrës së Hetimeve Kriminale ne Departamentin e Shtetit dhe Policisë së Shtetit.
“Bashkëpunimi është çelësi i suksesit, pasi shpesh mund të kemi dëshirë e vullnet, por pa bashkëpunim dhe mbështetje nuk mund të ketë sukses. Falë këtyre dy komponentëve u bë i mundur finalizimi i dy operacioneve shumë të suksesshme “One If – By Land”, në kuadër të goditjes së kontrabandimit të personave me qëllim emigrimin drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe operacioni policor “Rruga e gabuar”, ku u godit grupi kriminal me 36 anëtarë të dyshuar. Policia e Shtetit e ka prioritet kryesor bashkëpunimin me partnerët, e sidomos me ata strategjikë. Ne jemi të vendosur në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, dhe kur kemi mbështetje e bashkëpunime të tilla, pa asnjë diskutim që rezultatet janë vetëm pozitive”, tha Drejtori Veliu.
“Jam i bindur që askund nuk mund ta gjej këtë nivel bashkëpunimi si në nivel lidershipi, ashtu edhe në nivel operacional. Do të vazhdojmë në rrugën e nisur, pasi tashmë Policia e Shtetit ka fituar besueshmërinë tonë dhe ka mbështetjen e plotë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”, nënvizoi z.Antonio Zamudio.
“Në Departamentin Amerikan të Shtetit, janë në dijeni të operacioneve të suksesshme që janë zhvilluar në Shqipëri. Në emër të tyre ju them faleminderit. Vlerësoj shumë marrëdhënien dhe bashkëpunimin që keni me oficerin tonë, marrëdhënie e cila është një nga më të mirat, në të gjitha vendet e tjera. Do keni mbështetjen tonë edhe në të ardhmen në të gjitha drejtimet”, u shpreh znj. Karen Riley.