Në fokus të takimit ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, diskutimi mbi një protokoll/marrëveshje bashkëpunimi operacional në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorisë Qendrore të Policisë Gjyqësore. Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua për identifikimin e fushave, në të cilat ky bashkëpunim mund të fuqizohet më tej.
Veliu dhe Malon kanë vlerësuar marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy Policive si mjaft të mira dhe theksuan faktin se është i domosdoshëm nënshkrimi i një marrëveshjeje operacionale mes Drejtorisë Qendrore të Policisë Gjyqësore Franceze dhe Njësisë Hetimore Qendrore, në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Veliu: Siguroj se Policia e Shtetit është e angazhuar për ta forcuar më tej bashkëpunimin me Drejtorinë Qendrore të Policisë Gjyqësore të Francës për të kryer hetime të përbashkëta me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të grupeve apo individëve, që veprojnë brenda dhe jashtë vendit apo me shtrirje në të dy vendet tona. Në këtë kuadër, mbështetja e Policisë franceze me trajnime e logjistikë për Policinë e Shtetit është e domosdoshme.
Malon: Në takimin që kam pasur me përfaqësues të Task Forcës tonë në Paris, në qershor të këtij viti, kemi diskutuar mbi fushat e bashkëpunimit në të ardhmen, si: lufta kundër trafikimit të narkotikëve, pastrimit të parave, trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Shpreh gatishmërinë time për të qenë i hapur për bashkëpunim dhe shkëmbim informacioni, në kuadër të luftës së përbashket kundër krimit të çdo forme, veçanërisht kundër krimit të organizuar.
Më pas Delegacioni i Policisë Franceze është takuar me ekipin e Njësisë Qendrore Hetimore dhe kanë diskutuar detaje për nënshkrimin e marrëveshjes operacionale.