Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti delegacionin e Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, që kryesohej nga Rade Milosevic, Koordinator i Malit të Zi Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, njëheraz Sekretar Shteti i Ministrisë së Brendshme.
Veliu dhe Milosevic e kanë vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin mes dy policive, si në drejtim të shkëmbimit të informacionit, zhvillimit të operacioneve të përbashkëta kundër trafikut të lëndëve narkotike apo të parandalimit të kalimit të paligjshëm të kufirit të emigrantëve klandestinë nga vendet e treta, që hyjnë ilegalisht në Shqipëri, me synim destinacion përfundimtar një nga vende e BE-së.
Gjithashtu u ra dakord që ky bashkëpunim të shtrihet në të gjitha strukturat, konkretisht në bashkëpunimin e drejtpërdrejtë për parandalimin dhe dokumentimin e krimeve me karakter terrorist dhe financimin e terrorizmit.
Z. Milosevic vlerësoi punën dhe rezultatet e Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe shprehu dëshirën për implementimin e kësaj strukture dhe mënyrën e funksionimit edhe në Malin e Zi.
Drejtor Veliu ka falënderuar homologët e Malit të Zi, për gatishmërinë dhe dashamirësinë dhe angazhimin serioz të tyre për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit dhe ka theksuar se Policia e Shtetit është e hapur dhe e vendosur për të bashkëpunuar me partnerët, në të gjitha drejtimit, pasi qëllimi është i njëjtë: lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit e ekstremizmit të dhunshëm.
Më pas, delegacioni i Malit të Zi zhvilloi një takim me Drejtorin e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, dhe stafin e tij. Z. Nano bëri një prezantim të shkurtër të mënyrës së trajtimit të praktikave të mira nga Drejtoria e Antiterrorit me të rikthyerit nga vendet në konflikt dhe mënyrën e funksionimit dhe koordinimit të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit me Qendrën e Koordinimit të Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit.
Z. Milosevic ka ftuar përfaqësuesit e Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit për një vizitë në Malin e Zi, më qëllim prezantimin dhe shkëmbimin e eksperiencave në drejtim të luftës kundër terrorizimit.