Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, pjesëmarrës në punimet e Konventës së Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë International Association of Chiefs of Police (IACP)

Çikago – USA

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shoqëruar nga Drejtori i Kabinetit, përfaqësues të ICITAP-it që mbulon vendin tonë dhe nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS) mori pjesë në punimet e Konventës së Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë International Association of Chiefs of Police (IACP), mbajtur në Çikago – USA.

 

Në një prej ditëve të konferencës mori pjesë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili përshëndeti dhe vlerësoi Shoqatën Ndërkombëtare të Shefave së Policisë. Gjatë fjalës përshëndetëse Presidenti D. Trump vuri theksin te mbështetja dhe respekti maksimal për forcat e zbatimit të ligjit, përpjekjet e forcave të zbatimit të ligjit për të ulur krimin, respekti maksimal për oficerët e Policisë së Çikagos të plagosur në krye të detyrës, niveli i lartë i kriminalitetit në Çikago, duke kritikuar ligjet lokale të kontrollit të armëve etj.

 

Pas fjalimit të tij, Presidenti D. Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv, për krijimin e një Komisioni Presidencial për zbatimin e ligjit për të studiuar çështje si abuzimi me substancat (lëndët narkotike), të  pastrehët dhe sëmundjet mendore.

 

Gjatë ditëve të punimeve të Konventës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, me ftesë të Drejtorit të Policisë së Illinois-it Brendan F.Kelly, mori pjesë në ceremoninë e gradimit të kadetëve të Policisë, që u zhvillua në Akademinë e Policisë në Springfield.

 

Njëkohësisht, krahas ndjekjes së punimeve të Konventës së Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë, Drejtor Veliu zhvilloi disa takime:

 

James Walsh, Asistent Sekretar i Parë i INL (International Narcoticsand Law Enforcement), Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit, pranë Departamentit të Shtetit.

 

Z.Gregory Ducot, Drejtor i Programit (ICITAP), pranë Departamentit të Drejtësisë dhe Zv. Drejtorët Z.Gary Bullard, Steve Fields, si dhe përfaqësues të tjerë të Programit ICITAP-it.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoi për ndihmën e vazhdueshme që ICITAP-i i ka dhënë ndër vite Policisë së Shtetit, në trajnime-logjistike-këshillim dhe monitorim, gjithashtu theksoi punën e mirë të përfaqësuesit të programit ICITAP, atashuar pranë Policisë së Shtetit, Z.Steve Bennett, bashkë me stafin e tij. Gjithashtu, Drejtor Veliu ka vlerësuar lart bashkëpunimin mjaft të frytshëm me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS).

 

Gjithashtu, Drejtor Veliu zhvilloi dhe disa takime me kolegë të vendeve pjesëmarrëse në Konventë, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj.

 

Gjatë punimeve të Konventës, si çdo vit, u hap edhe Ekspozita – Panairi vjetor i organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë, e cila është një mundësi shumë e mire për t’i dhënë mundësinë vendeve pjesëmarrëse dhe drejtuesve të lartë të strukturave policore të njihen me praktikat me të mira dhe teknologjinë më të fundit, në luftën kundër krimit.

 

Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë është themeluar në vitin 1893, ka mbi 20 mijë profesionistë nga rreth 100 vende, është organizata më e vjetër jofitimprurëse e drejtueseve të policisë dhe këtë vit ishte 126 vjetori i themelimit të saj.