Mirëdita të gjithëve,
Të nderuar gazetarë, ju falënderoj për praninë tuaj në këtë konferencë të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Kjo konferencë zhvillohet në kuadër të qasjes së re të Policisë së Shtetit, për një komunikim më transparent dhe më të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe median. Qëllimi ynë është të informojmë publikun me informacion të verifikuar si dhe mbi rezultatet e punës sonë, masat që kemi ndërmarrë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sfidat me të cilat përballemi në përmbushjen e misionit tonë, si siguria në shkolla, siguria rrugore, lufta kundër narkotikëve, armëmbajtja pa leje, kapja e personave në kërkim, evidentimi dhe goditja e krimeve mjedisore, ndjekja në kohë e dinamikës së shqetësimeve të qytetarëve, dhuna në familje, reagimi në kohë e me profesionalizëm në rast ngjarjesh si dhe shërbim dinjitoz për qytetarët, përmes komunikimit dhe reagimit me paanshmëri.
Në përfundim të raportimeve tona, do të jemi të hapur për pyetjet dhe interesimin tuaj, në funksion të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik.
Fillimisht, do t’ju paraqes rezultatet e punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Fier gjatë muajit maj 2026.
Gjatë muajit maj, janë evidentuar 264 vepra penale të ndryshme, prej të cilave janë zbuluar 260 prej tyre ose 98.4 %.
Në këto vepra penale janë identifikuar 268 autorë të dyshuar si të përfshirë, nga të cilët 69 janë (arrestuar/ndaluar), 190 janë proceduar në gjendje të lirë si dhe 9 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Krahasuar me muajin e kaluar, janë evidentuar 90 vepra penale më shumë.
Gjatë kësaj periudhe janë finalizuar 10 operacione policore, si rezultat i të cilave janë arrestuar/ndaluar 14 persona.
Operacionet policore kanë konsistuar në:
• Goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike (3 operacione policore)
• Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve (2 operacione policore)
• Kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë (3 operacione.
• Në drejtim të krimeve kundër pronës dhe pasurisë (2 operacione policore)
Gjatë muajit maj janë sekuestruar, sende apo prova të tjera që lidhen me veprimtari kriminale dhe konkretisht:
➢ 3.3 kg Cannabis Sativa;
➢ 11.3 gr Kokainë;
➢ 1 automjet;
➢ 1 grirëse për përpunimin e lëndës narkotike, 2 peshore elektronike, 6 celularë dhe një DVR;
➢ 1 armë zjarri pistoletë;
➢ 3 armë zjarri automatik, kallashnikov mod.56, (13 copë krëhëra me 172 copë fishekë), dhe një armë gjahu pa leje;
➢ Lëndë plasëse 1 kallëp;
➢ Kartëmonedha në Euro 15900;
➢ Kartëmonedha në Lek 800.000.
Janë trajtuar në total 161 konflikte, nga të cilat 122 konflikte për motive të dobëta dhe 39 konflikte për motive pronësie. Për këto raste janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe janë proceduar autorët e dyshuar.
Me rritjen e fluksit të lëvizjes së mjeteve, është intensifikuar monitorimi inteligjent i akseve rrugore nëpërmjet mjeteve teknologjike.
Si rezultat, strukturat e policisë rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë kanë vendosur 11.132 masa administrative ose 4.985 masa më shumë se një muaj më parë, ku pjesa më e madhe e tyre, është për ato shkelje që ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë rrugore.
Gjatë këtij muaji janë evidentuar 14 aksidente rrugore, si pasojë e të cilëve kanë humbur jetën 2 shtetas, është plagosur rëndë 1 shtetas si dhe janë plagosur lehtë 13 të tjerë.
Gjithashtu në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore nga strukturat e Policisë Rrugore janë proceduar penalisht 59 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në mënyrë të pa rregullt, nga të cilët. janë arrestuar/ndaluar 34 shtetas, ndërsa 25 janë hetuar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, si rezultat i një angazhimi më të madh të strukturave vendore ndaj krimeve mjedisore dhe krimeve që cënojnë regjimin juridik të tokës, në kuadër të masave të marra dhe kontrolleve të shtuara në bashkëpunim edhe me inspektoriatet përkatëse, janë evidentuar 21 vepra penale në fushën e krimeve mjedisore dhe krimeve që cënojnë regjimin juridik të tokës me 21 autorë të dyshuar, të cilët janë proceduar penalisht.
Si rezultat i një kontrolli me efikas të territorit, bashkëpunimit me qytetarët dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, janë evidentuar 9 vepra penale më shumë në fushën e ndërtimeve pa leje, krahasuar kjo me muajin e kaluar të po këtij viti.
Pavarësisht rezultateve të arritura, mbeten ende problematika që kërkojnë vëmendje dhe angazhim të mëtejshëm siç janë:
• Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor (kryesisht sjelljet agresive në rrugë, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, si dhe shkaktimi i zhurmave shqetësuese në qendrat e banuara)
• Rastet e dhunës në familje.
• Prodhimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, kryesisht afër perimetrit të sigurisë në shkolla dhe jo vetëm.
Për adresimin e këtyre problematikave, shërbimet e Policisë kanë shtuar monitorimin, kontrollet dhe praninë në terren, me qëllim evidentimin e çdo shkeljeje dhe paligjshmërie, si dhe kanë rritur kontaktet me qytetarët, për të siguruar informacion me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që shfaqen në territor.
Të nderuar gazetarë, këto ishin disa nga rezultatet kryesore të punës së Policisë dhe dinamika e ngjarjeve gjatë muajit maj 2026, si dhe disa nga problematikat me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Para se ta mbyllim këtë konferencë, dua t’ju drejtohem të gjithë qytetarëve të qarkut Fier, se Drejtoria Vendore e Policisë Fier është maksimalisht e angazhuar për të parandaluar dhe luftuar paligjshmërinë në çdo drejtim.
Në këtë kontekst, është shumë i nevojshëm angazhimi juaj qytetar, për të mbështetur policinë dhe për të adresuar pranë saj, çdo problematikë që është në kompetencën e policisë, çdo sjellje të pahijshme të punonjësve të policisë, apo të neglizhencës së tyre, në përmbushje të detyrës, duke ju garantuar qëndrim ligjor si dhe reagim të menjëhershëm, për shqetësimet e adresuara nga ana Juaj, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ta bëjmë komunitetin tonë më të sigurt.
Besoni te Policia dhe përkraheni akoma më shumë për të pasur më shumë siguri dhe shërbim më cilësor!
