Dimal/Ndezi zjarr në tokën e tij, për djegien e barishteve, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën një sipërfaqe me bimësi dhe rreth 200 ullinj, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 66-vjeçari.
Shërbimet e Policisë Dimal, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Goriçan, Dimal, kishte rënë zjarr i cili ishte përhapur nga era dhe po digjte një sipërfaqe të madhe me bimësi dhe ullinj, menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe së bashku me shërbimin zjarrfikës, kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve, falë veprimeve të shpejta profesionale hetimore, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit B. T., 66 vjeç, banues në fshatin Goriçan, Dimal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.