Dibër – Kapet dhe arrestohet një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”.

Arrestimi i përkohshëm i 35-vjeçarit u bë me qëllim ekstradimin drejt shtetit italian.

Operacioni i finalizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër në bashkëpunim me Interpol Tirana

Strukturat e DVP Dibër, krahas punës për monitorimin e zbatimit të masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën intensive për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, shërbimet operacionale të DVP Dibër, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë finalizuar me sukses operacionin policor, duke bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së një personi në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në qytetin e Peshkopisë, i shtetasit B. A.(V), 35 vjeç, banues në Peshkopi, Dibër.

Kapja dhe arrestimi i përkohshëm u bë sepse shtetasi i lartpërmendur është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Trentos, Itali, më datë 01.02.2020, ka lëshuar urdhër arresti ndëkombëtar për kryerjen e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Maksimumi i dënimit për këto vepra penale është 24 vjet burg.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.