Dibër
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, vlerëson me Certifikatën e Karrierës Inspektor Osman Jonuzin, pas 40 viteve shërbim në Policinë e Shtetit.
Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër u zhvillua ceremonia e dorëzimit të Certifikatës së Karrierës për punonjësin e Policisë, Inspektor Osman Jonuzi, i cili mbylli karrierën e tij pas 40 viteve shërbim në strukturat e Policisë së Shtetit.
Në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zv.Drejtori për Rendin dhe Sigurinë, Drejtues Kujtim Gjoka, i dorëzoi Inspektor Osman Jonuzit Certifikatën e Karrierës me motivacionin:
“Për merita të veçanta, profesionalizëm dhe përkushtim të treguar për përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit.”
Gjatë 40 viteve të karrierës së tij në strukturat e Policisë së Shtetit, Inspektor Osman Jonuzi është dalluar për profesionalizmin, korrektësinë dhe integritetin, duke shërbyer me përkushtim dhe duke u bërë shembull për kolegët dhe brezat e rinj të punonjësve të Policisë.
Në përfundim të ceremonisë, Inspektor Osman Jonuzi falënderoi drejtuesit e Policisë së Shtetit për vlerësimin e akorduar dhe shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin ndër vite me kolegët, të cilëve u uroi suksese të mëtejshme në përmbushjen e detyrës.




