Dhërmi/Mbetën të bllokuar në Kanionet e Gjipesë, shpëtohen turisti holandez dhe dy fëmijët e tij

Dhërmi / Mbetën të bllokuar në Kanionet e Gjipesë, Reparti Special “Delta Forcë” shpëton turistin holandez dhe dy fëmijët e tij të mitur.

Në kushte të një terreni shumë të vështirë dhe në errësirë, pas rreth 4 orësh operacion kërkim-shpëtimi, shërbimet e Policisë nxorën pa lëndime turistin dhe dy fëmijët e tij.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Repartin Special “Delta Forcë”, mbrëmjen e djeshme përfunduan me sukses operacionin e kërkim-shpëtimit për një turist holandez dhe dy fëmijët e tij të mitur, të cilët kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur të Kanioneve të Gjipesë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit nga shtetasi holandez se kishte mbetur i bllokuar së bashku me dy fëmijët e tij, u organizua operacioni i kërkim-shpëtimit. Pas rreth 4 orësh kërkime intensive, në kushte të errësirës dhe në një terren tepër të vështirë, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe evakuimin e tyre në mënyrë të sigurt.

Pas nxjerrjes nga zona e rrezikshme, turisti dhe dy fëmijët e tij morën ndihmën e parë mjekësore dhe rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore.

Turisti holandez falënderoi shërbimet e Policisë së Shtetit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit, duke u shprehur:

“Dua t’u them të gjithëve se sonte jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Policisë lokale, e cila na shpëtoi nga vendi ku kishim mbetur të bllokuar. Ishte një zonë shumë e rrezikshme, sidomos gjatë natës. Këta tre efektivë janë heronj.”

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në çdo rast emergjence, duke garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.