Devoll – Finalizohet operacioni policor i koduar “Bilishti”

Goditet një tjetër rast i transportimit të shtetasve të huaj, me qëllim kalimin e paligjshëm të tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Bilishti”.

Arrestohen në flagrancë dy vëllezër.

Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bilisht, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin drejt vendeve të BE-së, finalizuan një tjetër operacion, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. Ç., 53 vjeç dhe B. Ç., 46 vjeç (i dënuar më parë për veprën pënale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”), vëllezër, të dy banues në Tiranë.

Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe nga kontrollet që punonjësit e Komisariatit Bilisht ushtruan në afërsi të stadiumit, shtetasit e lartpërmendur u kapën me mjetin tip “Renault” duke transportuar në drejtim të Tiranës, katër shtetas të huaj, kundrejt fitimit 400 euro në total, shumë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gykatës të Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.