Delvinë/Vijon angazhimi i Policisë për garantimin e sigurisë në institucionet arsimore.
Në kuadër të planit të masave për sigurinë në shkolla, shefi i Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Kastriot Ndoj, së bashku me specialistin për Rendin, nënkomisar Musa Ahmeti, dhe specialistët përkatës të Policimit në Komunitet (SPZ), zhvilluan takim në gjimnazin “Sulejman Delvina”, me pjesëmarrjen e bordit të shkollës, nënkryetares së bashkisë, prindërve, punonjësit të sigurisë në shkollë dhe përfaqësuesve të qeverisë së nxënësve.
Gjatë takimit u diskutua mbi masat konkrete për garantimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit, identifikimin dhe adresimin e problematikave, respektimin e rregullave në institucionet arsimore, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e çdo situate që mund të cenojë sigurinë e tyre.
Policia e Shtetit vijon angazhimin për rritjen e pranisë dhe forcimin e bashkëpunimit me drejtuesit dhe stafet pedagogjike të shkollave, oficerët e sigurisë, nxënësit dhe prindërit, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative dhe garantimin e një mjedisi të sigurt në institucionet arsimore.
Takimet dhe aktivitetet në kuadër të planit të masave për sigurinë në shkolla do të vijojnë gjatë gjithë vitit shkollor 2026-2027, në të gjitha institucionet arsimore të qarkut Vlorë.
#SiguriaNëShkolla #PoliciaPranëKomunitetit

