Ceremonia përkujtimore për Dëshmorin e Policisë Simon Gjeta, ish-efektiv i repartit NSH Shkodër, i cili ra në krye të detyrës 5 vjet më parë

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në ceremoninë përkujtimore për 5-vjetorin e rënies në krye të detyrës të nënkomisarit Simon Gjeta, ish-efektiv i Repartit NSH Shkodër.

I nderuar zv.ministër i Brendshëm z. Lamallari,
Të nderuar familjarë të Dëshmorit të Policisë Simon Gjeta,
Të nderuar kolegë e të pranishëm,

Nuk është e lehtë për mua që të mbaj fjalë në të tilla raste, ku duhet të kujtojmë kolegët e nderuar që sakrifikuan jetën për të përmbushur me nder misionin fisnik, atë të mbrojtjes së jetës me jetë.

Sot jemi këtu për të kujtuar në këtë 5-vjetor të rënies në krye të detyrës, nënkomisarin Simon Gjeta, i cili shërbeu me nder për 17 vite me radhë në Policinë e Shtetit, por fatkeqësisht mbrëmjen e datës 3 tetor 2015, në fashtin Obot i Ri, në përpjekje për të neutralizuar dhe arrestuar një person të armatosur që kishte kryer plagosje me armë zjarri, ky i fundit i mori pabesisht jetën kolegut tonë të paharruar dhe luftoi kundër Policisë deri në orën 7 të mëngjesit të datës 4 tetor, derisa u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat Renea.

Simon Gjeta, në detyrën e komandantit të grupit të FNSH Shkodër, nuk preferoi të komandonte, por udhëhoqi grupin për të bërë të mundur kapjen e autorit të plagosjes, i cili hapi zjarr pabesisht mbi Policinë duke i marrë jetën komandant Gjetës.

E theksova këtë fakt, se punonjës policie të karakterizuar nga përgjegjshmëria dhe ndërshmëria në kryerjen e detyrës, pavarësisht kostos së saj, janë dhe do mbeten përjetësisht burim frymëzimi, kurajoje, motivimi për ne dhe për brezat që do të vijnë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Vetëm dy javët e fundit ka pasur disa ngjarje kriminale, ku jeta e punonjësve të Policisë është rrezikuar seriozisht.

Ngjarja e Elbasanit ku u plagosën dy persona të pafajshëm dhe u rrezikua shumë seriozisht jeta e punonjësve të Policisë së Fushë Krujës dhe Tiranës, pasi persona me precedent kriminal dhe në kundërshtim me ligjin nuk iu bindën urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar në pikën e kontrollit, por reaguan duke plagosur dy punonjës policie në tentativë për t’u larguar, të cilët u prangosën pak minuta më vonë, apo vështirësia dhe rreziku gjatë kapjes së personave që qarkullonin me armë zjarri dhe atyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Gjithçka thashë më sipër dhe vepra e Simonit që ne sot po kujtojmë tregojnë qartë se sa e vështirë dhe e rrezikshme është puna e Policisë. Megjithatë, në asnjë rast nuk jemi tërhequr dhe nuk do të tërhiqemi përballë çdo vështirësie e rreziku, sepse e kemi marrë parasysh riskun për jetën, ndaj përfitoj nga rasti të ftoj qytetarët e ndershëm që të vijojnë të përkrahin dhe mbështesin Policinë, të denoncojnë çdo paligjshmëri se vetëm bashkërisht do kemi shumë më pak dëshmorë policie dhe qytetarë të dëmtuar dhe shumë më shumë rend e siguri për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Të nderuar familjarë të Dëshmorit të Atdheut Simon Gjeta,

Përtej dhimbjes dhe mallit nga mungesa fizike e Simonit, ju duhet të ndiheni krenarë për djalin e vëllanë tuaj, për veprën sublime që ai la pas, vepër e cila do nderohet në përjetësi dhe do jetë burim fyrmëzimi për punonjësit e Policisë, për të cilët jam i bindur se do udhëhiqen nga këto parime e vlera njerëzore dhe do motivohen nga këto modele sakrifice e sublimi, duke qëndruar përherë besnik ndaj ligjit dhe në krah e në shërbim të qytetarëve.

Duke nderuar Simon Gjetën dhe të gjithë dëshmorët e Policisë, ne nderojmë vlerat e paçmueshme të paqes e të sigurisë dhe mbajmë lart dinjitetin e Policisë, fitojmë respektin, besimin dhe mbështetjen e qytetarëve që është shumë e domsodoshme dhe e vlefshme në përmbushjen me sukses të misionit tonë.

Të nderuar pjesëmarrës, në nderim të Dëshmorit Simon Gjeta dhe gjithë të rënëve të Policisë së Shtetit, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij dhe i të gjithë Dëshmorëve të Policisë.

Ju faleminderit!