Bulqizë/Vodhën me dhunë xhiron ditore në dy pika karburanti, identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri prej autorëve, vijon puna për identifikimin e autorit tjetër

Bulqizë/Vodhën me dhunë xhiron ditore në dy pika karburanti, identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri prej autorëve, vijon puna për identifikimin e autorit tjetër.

Sekuestrohen një automjet tip “Toyota” dhe një motomjet, të dyshuar se janë përdorur gjatë ngjarjes.

Ndërkohë, vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Dibër, organizuan punën dhe kryen veprime të shpejta hetimore, duke bërë të mundur identifikimin e njërit prej autorëve të dyshuar.

Si rezultat, u shpall në kërkim shtetasi A. H., 32 vjeç, banues në Bulqizë, i cili dyshohet se, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar, rreth orës 00:54, ka shkuar në dy pika karburanti, në Bulqizë dhe Fushë-Bulqizë, ku u kanë vjedhur me dhunë punonjësve të këtyre pikave xhiron ditore (18.300 dhe 38.600 lekë).

Në vijim të veprimeve dhe kontrolleve të kryera në zonë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan automjetin tip “Toyota”, pa targa, si dhe një motomjet, të dyshuar se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personit tjetër të përfshirë në ngjarje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.