Berat/Hetimet e kryera prej 1 muaji, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizojnë operacionin policor antidrogë të koduar “Lidhjet”.
Të organizuar si grup, shitnin doza cannabisi në qytetin e Beratit, vihen në pranga 4 shtetas.
Sekuestrohen një sasi cannabisi, e ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe disa fishekë arme gjahu dhe 4 celularë.
Si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve që kryhen vazhdimisht, në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, pas një muaji hetime me metoda proakive, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, finalizuan operacionin policor të koduar “Lidhjet”.
Në kuadër të operacionit, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit H. A. (A.), 56 vjeç, A. A., 29 vjeç dhe E. A., 20 vjeç, përkatësisht babai dhe 2 djemtë e tij, si dhe shtetasi E. G., 38 vjeç, lidhje shoqërore e tyre, të gjithë banues në Berat.
Nga hetimet ka rezultuar se këta 4 shtetas, të organizuar si grup, shitnin doza cannabisi, në zona të ndryshme të qytetit të Beratit.
Me cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi një sasi cannabisi, të ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe disa fishekë arme gjahu që posedoheshin pa leje dhe 4 celularë.
Materialet procedruale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.