Apel: Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor për një destinacion të sigurt!

Shpejtësia vret jetë! Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor për një destinacion të sigurt.
Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore në Drejtorinë e Policisë Rrugore vijon monitorimin intensiv të akseve rrugore me mjete inteligjente shpejtësimatëse, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore.
Gjatë monitorimit, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore Fier, në aksin rrugor Lushnjë–Fier, ku kufiri maksimal i shpejtësisë së lejuar është 90 km/h, pajisja inteligjente shpejtësimatëse “Poliscan” ka konstatuar raste të shumta të tejkalimit të shpejtësisë së lejuar, ndër to edhe një automjet që qarkullonte me shpejtësi 212 km/h, duke tejkaluar me 122 km/h normën e lejuar.
Policia Rrugore vijon kontrollet me mjete teknologjike inteligjente në akset rrugore me fluks të lartë lëvizjeje, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Shpejtësia e lartë, drejtimi i automjetit në gjendje të dehur, parakalimet e gabuara dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të automjetit janë ndër faktorët kryesorë që rrezikojnë jetën e drejtuesve të mjeteve, pasagjerëve dhe këmbësorëve.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë kufijtë e shpejtësisë dhe rregullat e qarkullimit rrugor, pasi një drejtim i përgjegjshëm është garancia për të mbërritur të sigurt në destinacion.
Siguria në rrugë është një përgjegjësi e përbashkët.