Aksioni i suksesshëm i Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK, jehonë në mediat britanike

Aksioni i suksesshëm i Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK, jehonë në mediat britanike

Operacioni policor “INKORPORIMI”, ndjekur me metoda proaktive, për shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar, ka gjetur jehonë pozitive në mediat britanike.

Disa nga mediat kryesore britanike kanë publikuar foto, video dhe të dhëna për operacionin, duke vlerësuar angazhimin e Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe autoritetet ligjzbatuese britanike.

Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Gjithashtu, u sekuestrua një arsenal armësh, 24 pistoleta dhe 1 kallashnikov, qindra fishekë, lazera që u montohen armëve speciale e shërbejnë për qitje në distancë, si dhe pajisje optike.

Ndër të tjera, u sekuestuan dhe veshje kamuflazhi, si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 armë të ftohta (thika).

Policia e Shtetit vijon punën në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet britanike, për kapjen e 3 shtetasve, të cilët dyshohet se janë fshehur në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilët Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Gjatë operacionit janë arrestuar shtetasit: A. H., B. T. dhe R. A., të tre banues në Tiranë.

Operacioni u zhvillua në kuadër të procedimit të iniciuar në muajin prill të vitit 2023, nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Në muajin prill 2023, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, policia sekuestroi në Portin e Durrësit, një tjetër arsenal armesh (8 pistoleta) që do trafikoheshin drejt Mbretërisë së Bashkuar, me një furgon me targa angleze, drejtuesi i të cilit u vu në pranga.

Në drejtimin e SPAK-ut dhe në bashkëpunim të ngushtë me BKH-në dhe me autoritetet ligjzbatuese britanike, vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.