Tiranë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor “Kombinacioni”.

Zbardhet në kohë rekord vjedhja e një shume të madhe parash në automjetin e shtetasit F. B.

Identifikohen, lokalizohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 17.5 milionë lekë të reja dhe 50 mijë franga.

Strukturat për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas denoncimit të marrë nga shtetasi F. B., se më datë 22.05.2020, rreth orës 19:00, pranë Qendrës Kristal, në zonën e Komunës së Parisit, persona të paidentifikuar i kishin vjedhur një shumë të konsiderueshme parash prej 20 milionë lekësh të reja dhe 50 mijë franga, në automjetin e tij tip “Range Rover”, organizuan punën per zbulimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Falë veprimeve të shpejta, informacioneve të marra në rrugë operative dhe ndjekjes intensive për 24 orë u bë i mundur zbulimi dhe identifikimi i autorëve të kësaj ngjarjeje.

Po në vijim të punës intensive dhe veprimeve hetimore u bë lokalizimi i vendndodhjes së autorëve dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Kombinacioni”, u bë arrestimi në flagrancë i tyre në qytetin e Fierit, konkretisht:

D. H., 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;

G. K. 44 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”;

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas kishin ndjekur lëvizjet e shtetasit F. B. dhe në momentin që ky shtetas është futur në qendrën tregtare, ata i kanë vjedhur shumën e parave në bagazhin e automjetit.

Në momentin e kapjes, këtyre shtetasve iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi parash prej 17.5 milion lekësh të reja dhe 50 mijë franga.

Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.