Tiranë/Policia vijon takimet sensibilizuese në shkolla, me fokus rritjen e sigurisë dhe parandalimin e paligjshmërisë tek të rinjtë.
Në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”, punonjësit e Policisë së Tiranës kanë zhvilluar takime dhe bashkëbisedime me nxënës në disa shkolla, me qëllim ndërgjegjësimin dhe informimin e tyre për rëndësinë e krijimit të një mjedisi të sigurt në institucionet arsimore.
Gjatë këtyre takimeve janë trajtuar çështje që lidhen me parandalimin e dhunës dhe bullizmit, bullizmin kibernetik, sigurinë në internet, mbrojtjen e të dhënave personale dhe rreziqet që mund të hasin të rinjtë në rrjetet sociale.
Gjithashtu, është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit mes Policisë, shkollës, prindërve dhe vetë nxënësve, si një element kyç për identifikimin në kohë dhe parandalimin e problematikave që cenojnë sigurinë e tyre.
Policia e Tiranës mbetet e angazhuar për të qenë pranë nxënësve, jo vetëm për të garantuar sigurinë, por edhe për t’i informuar, këshilluar dhe ndërgjegjësuar, duke nxitur besimin dhe komunikimin e hapur me ta.
